Çfarë e bën përmbajtjen vizuale kaq kritike në një fushatë të marketingut digjital? - Telegrafi Marketing

Çfarë e bën përmbajtjen vizuale kaq kritike në një fushatë të marketingut digjital?

“Një pikturë vlen sa një mijë fjalë.”

Kur bëhet fjalë për marketingun digjital, një imazh i fuqishëm është piktura në fjalë, një mjet jashtëzakonisht efikas për tërheqjen e vëmendjes së audiencës, sidomos nëse kombinohet me tekstin e duhur.


Më poshtë gjeni disa fakte interesante rreth përmbajtjes vizuale dhe si ndikon te njerëzit.

-Truri koncepton një pamje vizuale më shpejt se çdo lloj tjetër përmbajtjeje.

-Truri i njeriut mund të përpunojë një imazh në vetëm disa milisekonda; prandaj, përdorimi i pamjeve efektive mund të nxitë interesin e vizitorëve në shkallë të lartë.

-Më shumë se 90% e informacionit që transmetohet në tru është vizuale.

-Kur është fjala për përpunimin e informacionit, truri mund të përpunojë pamjet 60.000 herë më shpejt se çdo tekst.

-Sytë mund të regjistrojnë më shumë se 36000 mesazhe vizuale në orë ose ndryshe deri në 10 imazhe në sekondë.

-Përmbajtja vizuale përbën rreth 93% të të gjithë komunikimit njerëzor.

Nga këto kuptojmë se përmbajtja vizuale është padyshim gjuha e epokës dixhitale dhe këto më poshtë janë disa prej llojeve në të cilat hasni më së shpeshti në internet.

Banerat

Reklamimi përmes banerave është një mënyrë e lehtë dhe e thjeshtë për të qenë prezent në mendjen e audiencës tuaj. Imazhet atraktive, mesazhet e duhura dhe butoni CTA luajnë një rol të veçantë gjatë dizajnimit të banerave.

Infografikë

Infografika përdoret më së miri kur keni shumë të dhëna statistikore që dëshironi t’i ndani me audiencën tuaj, ose nëse doni të shpërndani sa më shumë përmbajtje ‘të vështira për t’u kuptuar’ në një format më të kuptueshëm dhe lehtësisht të dukshëm.

Fotografitë

Fotografitë dhe imazhet e produkteve janë të rëndësishme për disa arsye në botën digjitale. Ato mund të jenë shumë të dobishme për të treguar produktet dhe shërbimet tuaja mirëpo duhet pasur shumë kujdes në përzgjedhjen e tyre sepse janë një pasqyrim direkt i markës dhe nëse nuk janë të kualitetit më të lartë mund të kenë efekte negative. Rreth 90% e përdoruesve të përgjithshëm të internetit thonë se imazhet ndikojnë në blerjet e tyre dhe vendimet gjatë procesit të blerjes.

Video

Përderisa imazhet janë mjaft të rëndësishme dhe efektive, video është një opcion akoma më i mirë sepse është një përzierje e imazheve dhe tingujve në të njejtën kohe, gjë që e bën shikuesin akoma më të vëmendshëm. Rreth 64% e blerësve janë më të motivuar për të blerë një produkt pas shikimit të një videoje në lidhje me të.

Butoni CTA

Butoni Call to Action është një mënyrë për të ndikuar në audiencën, për ta shtyrë atë për të bërë diçka ose për të marrë ndonjë veprim. Përmes butonit CTA ju mund të kërkoni që audienca juaj të “klikojë këtu”, “blej tani”, “ndiqni”, “mësojë më shumë”, “shkarko aplikacionin”, “regjistrohuni këtu”, “apliko tani” etj.

Udhëzime

Udhëzimet apo “tutorials” mund të përfshijnë çdo gjë nga ‘truke për lehtësimin e jetës’, udhëzime të recetave, udhëzime “hap pas hapi” etj. Ato mund të jenë në formën e videove, imazheve, tekstit ose një kombinim i  të gjitha këtyre.

Native Ad

Native Ad është një formë reklame e cila publikohet në internet dhe i ngjan pothuajse plotësisht përmbajtjes që gjendet në atë uebfaqe ku publikohet. Native Ad është një reklamë e fuqishme nëse përdoret si duhet sepse përmban tri elemente të cekura më lartë: fotografi, mesazh dhe butonin CTA. Disa nga benefitet kryesore të kësaj reklame janë: kap më shumë vëmendjen e audiencës, krijon lidhje më të ngushta me konsumatorët. ruan imazhin e brendit, rezultatet e matshme etj.

Pamjet vizuale janë jashtëzakonisht të fuqishme kur përdoren si duhet për të komunikuar një mesazh të përshtatshëm. Megjithëse imazhet janë një mënyrë e mirë komunikimi për shkak se japin hapësirë për të qenë kreativ, mos harroni të qëndroni gjithmonë të fuqishëm me mesazhin e kompanisë tuaj sepse çfarëdo përmbajtje që krijoni dhe shpërndani në internet do të mbetet aty përgjithmonë dhe padyshim se pasqyron markën tuaj.