Kujdesuni për punonjësit dhe ata do të kujdesen për biznesin tuaj - Telegrafi Marketing

Kujdesuni për punonjësit dhe ata do të kujdesen për biznesin tuaj

Punonjësit besnik janë një aset i madh për një biznes.

Kur një kompani humbet një punonjës të mirë kjo shkakton një lloj frike te punonjësit e tjerë dhe i shtynë ata të mendojnë: “Pse ai/ajo do të largohej dhe pse kompania do t’a linte të ikë?”



Punonjësit janë burimi më i vlefshëm dhe padyshim një pasuri e madhe e kompanisë, megjithatë, shumë kompani e injorojnë këtë fakt dhe i trajtojnë keq. Disa prej tyre mendonjë se punëtorët duhet të “shperblehen” me para për punën dhe kontributin, mirëpo paraja është vetëm një prej faktorëve.



Klientët gjithashtu shpesh herë mbajnë kontakte të vazhdueshme me ndonjë nga punëtorët e kompanisë tuaj dhe në rast se ata largohen, do të lindnin dyshime dhe do të krijohej një ndjenjë humbjeje edhe te klienti. E më e padëshiruara është kalimi i punonjësve tuaj tek konkurrenca, gjë të cilën kanë të drejtë ta bëjnë por që është një goditje e rëndë për kompaninë.

Punonjësit duan të ndihen të vlerësuar dhe të kenë besimin e punëdhënësit. Në momentin që atyre ju ofrohet një dozë sado e vogël e autonomisë dhe fleksibilitet kjo i shtyn të veprojnë më përgjegjësisht drejt mirëqenies së vendit të punës. Gjithashtu ata janë më pak të prirur të jenë të pakënaqur kur e dinë se në kompaninë ku punojnë ka vend për të mësuar, për tu rritur dhe për të marrë përgjegjësi shtesë.

Për të mbajtur pozitën e fortë si një kompani në një treg konkurrues një prej faktorëve kryesor është edhe kujdesi dhe trajtimi i mirë ndaj punonjësve në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me vendin e punës. Krijoni një mjedis që i bën ata të ndjehen të rëndësishëm për kompaninë tuaj, krijoni një harmoni të sinqertë dhe të ndershme mes grupit, jepni mundësi për t’u ngritur në detyrë, ofroni hapësirë për të mësuar dhe shpërbleni për punën e kryer me sukses.

Sado që përparon teknologjia, gjithmonë do të ekzistojnë vendimet e përshtatura të cilat kërkojnë përdorimin e gjykimit njerëzor, e një individ i cili ndihet i kënaqur me punën e tij do të ishte gjithmonë në gatishmëri dhe do të jepte më të mirën për kompaninë.



Punonjësit tuaj kanë përgjigjet se si të përmirësojnë shërbimin ndaj klientit dhe produktet apo shërbimet tuaja. Ata kanë zgjidhjet se si të përmirësojnë shumë gjëra në kompaninë tuaj dhe si të zgjidhen shumë probleme, gjjithçka që duhet është të dini si të merrni më të mirën prej tyre.

Punonjësit e lumtur janë ambasadorët më të mirë të një kompanie, prandaj mbajtja e tyre të lumtur duhet të jetë një prej prioriteteve të çdo biznesi.