Black Friday po afrohet dhe më 29 nëntor të vitit 2019 pritet të bëhen zbritjet më të mëdha që keni parë deri tani.
Bizneset të cilat promovojnë më herët zbritjet e tyre të Black Friday besohet se do të bombardohen nga numri i madh i konsumatorëve që do të dalin për blerje gjatë kësaj dite.
Kompani të shumta po planifikojnë të ofrojnë zbritje të mëdha, ndërsa shumë prej tyre po krijojnë edhe strategji të ndryshme si mundësi për blerje online ose të sigurojnë transportin e produkteve falas për klientët që blejnë online. Kjo për arsye se konsumatorët dëshirojnë komoditet dhe duan të marrin produktet sa më shpejtë në mënyrë që të mos humbin kohë duke pritur në linja të gjata.
Black Friday ndihmon bizneset duke ndikuar në rritjen e shitjeve gjatë sezonës por gjithashtu i mundëson konsumatorëve të blejnë produkte me çmime shumë më të ulëta.
Ndërsa konsumatorët mund të presin zbritje të ndryshme të çmimeve prej 20 deri në 70% në artikuj të shumtë duke filluar nga pajisjet e ndryshme teknologjike, deri te veshjet, produktet e bukurisë, pajisjet shtëpiake etj. Bizneset në anën tjetër pritet të jenë më aktiv se asnjëherë më parë me reklamimin online.
Të gjithë presin që Black Friday të jetë një përvojë e mbushur me stres dhe një numër të madh të konsumatorëve të cilët do të jetë vështirë të menaxhohen. E mënyra më e mirë për t’i shndërruar këta konsumatorë në klientë besnik dhe t’i bëni ata të kthehen përsëri është t’i befasoni në mënyrë pozitive gjatë blerjes duke i krijuar një eksperiencë të paharruar. E për ta bërë këtë duhet të ndjekni të paktën disa prej hapave më poshtë:
Përgatitni stafin tuaj
Një përvojë e shkëlqyeshme e klientit fillon nga punonjësit tuaj. Qëndrimi i tyre ndaj klientëve është një faktor kryesor në mënyrën se si ata klientë e perceptojnë biznesin tuaj. Sezoni i blerjeve të fundvitit, por veçanërisht fundjava e Black Friday, është një kohë e vështirë për stafin, kështu që mos hezitoni t’u tregoni punonjësve tuaj se sa i vlerësoni përpjekjet e tyre.
Nëse keni mundësi t’i shpërbleni do të ishte edhe më mirë sepse në këtë mënyrë, stafi juaj do të ndihej i vlerësuar dhe do të rritej motivimi i tyre për punën.
Kujdesuni për konsumatorët
Gjatë Black Friday është e sigurtë se bizneset përveç konsumatorëve besnik do të kenë edhe një numër të madh të konsumatorëve të rinjë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme mbajtja e konsumatorëve besnik të lumtur, kjo nuk ka dyshim. Mirëpo a keni menduar si t’i ktheni në blerës të përhershëm konsumatorët të cilët do të vijnë te ju për shkak të zbritjeve dhe promovimeve gjatë Black Friday?
Nëse i kushtoni vëmendje secilit klient dhe i bëni të ndihen të vlerësuar atëherë një gjë e tillë është e mundur. Përshëndetni me një buzëqeshje dhe bëni çmos për të përmbushur kërkesat e tyre dhe për t’i bërë ata të ndihen mirë. Dhuroni kupona zbritjeje me validitet të caktuar, dhuroni ndonjë produkt falas, ose së bashku me produktin bashkangjitni një kartolinë me një mbishkrim që do ta bëjë konsumatorin të ndihet mirë.
Krijoni një plan të veçantë të marketingut
Konsumatorët bombardohen me reklama dhe informacione për çdo ditë por Black Friday është një nga ato periudhat që duhet ta qoni marketingun tuaj në një nivel tjetër.
Krijoni strategji unike për promovimin e zbritjeve, ofroni diçka më të veçantë se bizneset tjera në fushën tuaj, krijoni mundësi për blerje online, ofroni transport falas etj. Mos harroni t’i ofroni blerësve një eksperiencë të paharruar dhe jo thjeshtë një proces të rëndomtë blerje.