Festat e fundvitit po afrohen shpejtë dhe shumica e bizneseve po kërkojnë me padurim të gjitha mënyrat e mundshme për të rritur shitjet. Dhe përgjigja e saktë për pyetjen si të bëjmë më shumë shitje është “të tërheqim sa më shumë konsumatorë”.
Për konsumatorët e ditëve të sotme përveç produkteve dhe cilësisë së tyre rëndësi të madhe ka edhe eksperienca që ata marrin nga blerjet. Prandaj shërbimi dhe kujdesi ndaj konsumatorëve është mënyra më e mirë për të fituar dhe mbajtur besnikërinë e tyre.
Më poshtë gjeni disa këshilla në të cilat mund të fokusoheni që biznesi juaj të arrijë objektivat e shitjeve gjatë festave të fundvitit.
Oferta dhe zbritje promocionale
Krijimi i ofertave festive dhe zbritjeve promocionale padyshim se është një prej metodave më të mira për të tërhequr konsumatorë. Për një periudhë të caktuar kohore mund të ofroni zbritje të mëdha (30% ose më shumë) në artikuj të ndryshëm. Përveç zbritjeve edhe ofertat 1+1 janë të preferueshme dhe mjaft atraktive për konsumatorë.
Fokusohuni në marketing dixhital
Çdo herë e më shumë konsumatorët po fokusohen në blerjet online. Përveç blerjeve konsumatorët shumë shpesh bëjnë kërkime në internet për produktet ose dyqanet e tyre të preferuara dhe për ofertat e reja. Prandaj përgatitni oferta atraktive, reklamoni ato online dhe krijoni dizajne atraktive për promovimin e tyre.
Sigurohuni që të shfrytëzoni të gjitha kanalet e reklamimit dixhital sepse përmes tyre targetimi i audiencës tuaj është shumë më i lehtë dhe i shpejtë. Natyrisht, kjo nuk mjafton për të kënaqur pritjet e konsumatorëve mirëpo prezenca juaj në internet, informacionet dhe përmbajtja kreative do të ndikojë pozitivisht te konsumatorët. Marketingu përmes rrjeteve sociale, banera në portale etj, janë disa metoda të përshtatshme të cilat mund t’i shfrytëzoni për të promovuar biznesin, produktet dhe ofertat tuaja.
Kushtoni rëndësi ambientit dhe trajnoni punonjësit
Sigurohuni që shitësit tuaj të dinë karakteristikat dhe benefitet e produkteve që shisni. Mësojuni atyre strategjitë për të qenë shitës të mirë por mos lejoni të kenë qasje agresive gjatë shitjes. Analizoni konsumatorët dhe në bazë të sjelljeve të tyre shitësit mund të ju përshtaten karakterit të tyre.
Njerëzit preferojnë të kryejnë procesin e blerjes në mënyrën më të lehtë të mundshme kështu që rregulloni ambientin në dyqan, renditni artikujt në mënyrë të përshtatshme dhe vendosni njoftime në rast se keni oferta promocionale. Kreativiteti në dekorimin e ambientit gjithashtu është një përparësi në tërheqjen e konsumatorëve gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/