Empatia nuk është diçka e re në marketing. Nga “Share a Coke” e deri te “Porsche seperates Le Mans from Le Boys”, kampanjat e mahnitshme të marketingut kanë synime përtej transaksionit financiar duke shënjestruar direkt në zemrat tona. Dhe kjo funksionon!
Kompanitë për një kohë të gjatë e kanë ditur se emocionet ndikojnë në shitje. Në fakt, emocionet janë aq të fuqishme saqë na bëjnë t’i braktisim apo injorojmë krejtësisht faktet. Për shembull, Camel në mënyrë të suksesshme na ka bindur se “më shumë doktorë pinë cigare Camel sesa çdo lloj cigareje tjetër”, ndërsa Marlboro na ka bërë të besojmë se nëse pimë mjaftueshëm cigare të brendit të tyre, ne do të shndërrohemi në të famshmin Marlboro Man.
https://www.youtube.com/watch?v=vAK97pTijJ0
Jo pra, empatia si mjet i marketingut nuk është diçka e re. Por së fundmi, është vet empatia ajo të cilën kompanitë e kanë për synim ta promovojnë. Për shembull, kompania Dove ka vendosur t’i luftojë standardet e bukurisë të Photoshop-it, të cilat i bëjnë femrat të ndihen të pasigurta.
Pas një suksesi masiv të kësaj foto-ekspozite në Toronto, ekzekutivët e kompanisë Dove e kishin kuptuar arsyen prapa suksesit.
Kështu, ishte lansuar kampanja “Real Beauty Sketches” e cila kishte arritur mbi 69 milionë shikime. Pastaj Dove do t’i rriste shitjet vjetore për 1.5 miliardë dollar (+160%) përgjatë 10 viteve të ardhshme dhe kjo nuk është arritje e vogël për një organizatë 65-vjeçare.
https://www.youtube.com/watch?v=XpaOjMXyJGk
Një tjetër shembull i hatashëm i “marketingut empatik” është ai nga American Greetings – “World’s Toughest Job”, kompani e kartave përshëndetëse. Me mbi 28 milionë shikime, vetëm kjo reklamë ia kishte rritur shitjet kompanisë për 20% dhe bazën e klientëve për 40%.
Ndonëse reklama kishte pasur synim që t’i rriste shitjet për kartat përshëndetëse të Ditës së Nënës, ajo kishte gjeneruar mjaftueshëm të ardhura saqë i kishte realizuar synimet vjetore të kompanisë. E krejt kjo për shkak se disa shefa të kompanisë nuk kishin qenë të frikësuar të dukeshin “budallenj” duke provuar diçka reale.
Nëse ia mësyni zemrës, atëherë bëhuni gati edhe për një thyerje të zemrës. Përpjekja e kompanisë Pepsi për t’u dukur autentike kishte rezultuar në një reagim të ashpër nga publiku.
Reklama, e cila ishte fshirë brenda 24 orëve, i kishte portretizuar protestuesit e kampanjës “Black Lives Matter” duke u buzëqeshur, qeshur, duke duartrokitur e duke u përqafuar. E kjo, siç thonë aktivistët, është pikërisht e kundërta e asaj se çfarë ndodh në këto lloj protestash, ku grupet e diskriminuara ballafaqohen me reagime brutale nga ana e policisë.
Në anën tjetër, përpjekja e kompanisë Gillette për t’u shfaqur relative kishte rezultuar në bojkot nga qindra njerëz në Twitter. Reklama e tyre kishte prekur tema tejet të ndjeshme dhe të politizuara, siç janë maskuliniteti toksik, seksizmi, kampanja “#MeToo”, etj. Reklama vetvetiu kishte krijuar një konfrontim mes atyre që mendonin se mesazhi ishte i domosdoshëm dhe të atyre që thoshin se Gillette e ka tepruar.
Momentalisht, me mbi 33 milionë shikime, kjo reklamë e ka një proporcion 1:2 të pëlqimeve dhe mospëlqimeve (like-to-dislike). Jo një statistikë aq e mirë për një biznes.
https://www.youtube.com/watch?v=koPmuEyP3a0
Pse kompanitë janë të gatshme të shpenzojnë miliona në kampanja të marketingut vetëm për t’u bërë mik me ju?
Së pari, marketingu tradicional duket se nuk funksionon edhe aq mirë më me gjeneratën e mijëvjeçarëve. Mijëvjeçarët (millennials) do t’i besojnë më shumë një vlerësimi online sesa familjes së tyre. Gjenerata e mijëvjeçarëve i shpenzon 40 minuta në ditë në YouTube, dhe përpjekja për ta shitur shamponin në YouTube është më e keqe sesa ta shitni në një darkë të së premtes pas përfundimit të punës.
Është lehtë ta shmangni marketingun empatik duke e cilësuar si jorelevant për bizneset e vogla me arsyetimin se kush brengoset për imazhin e brendit kur nuk keni thuajse fare shitje përgjatë muajit të ardhshëm. Por, përderisa anëtarët e bordit ekzekutiv të L’Oreal dhe GM janë duke përpiluar plane dhe caktuar takime, këto biznese të vogla në heshtje janë duke u bërë virale pas shpenzimit kreativ të 50 dollarëve plus pak orëve punë. Madje ata kanë shumë mjete për të vepruar kështu.
Edhe ‘Subscriptions’ janë një mënyrë e mirë se si po veprojnë brendet e vogla. Për shembull, kompania Birchbox ka zbuluar se njerëzit janë të gatshëm t’i paguajnë 10 dollarë në muaj për një kuti me mostra bukurie dhe i ka fituar 96 milionë dollarë për vetëm dy vite.
Por në mënyrë që t’i mbani anëtarët besnikë dhe të angazhuar, juve ju nevojitet më shumë sesa veç produkti. Duke filluar nga shkrimi e te dizajni, ndjeshmëria njerëzore është kritike për ta mirëmbajtur angazhimin e vazhdueshëm. Për t’i bërë klientët si anëtarë, ju fillimisht duhet të shfaqeni empatikë. Prandaj edhe ekziston marketingu i tillë.
Në botën moderne ku po jetojmë, statistikat tregojnë se gjeneratat e sotme presin më shumë sesa vetëm një rrogë – ata duan mundësi për zhvillim dhe menaxhim kualitativ. Pra kjo tingëllon mjaft empatike, krahasuar me këtë video rreth kushteve të punës së punëtorëve të Amazon.
Kështu, nëse jeni të interesuar të joshni njerëz të mirë, është koha të mendoni se a i komunikon qasja juaj e marketingut vlerat tuaja në vend të produkteve me zbritje dhe fotografi të rafteve.
Mbi të gjitha, duhet guxim që të ndaloni së futuri karta biznesi në xhepat e klientëve dhe të filloni t’i dëgjoni zemrat e tyre. Nevojitet mënyrë tjetër e të menduarit dhe kjo është gjëja më e vështirë që mund ta bëni. Për një dozë ekstra të rrëqthjeve, më poshtë e keni edhe një reklamë të kompanisë Mini.
https://www.youtube.com/watch?v=6FKNyhwUBY4