Pandemia COVID-19 i “eksplodon” blerjet online në botë -10 vite zhvillim për 90 ditë - Telegrafi Marketing

Pandemia COVID-19 i “eksplodon” blerjet online në botë -10 vite zhvillim për 90 ditë

Ndonëse pandemia COVID-19 ka goditur të gjithë sektorët, duket se sektori i e-commerce është ai që ka përfituar më së shumti.

Të dhënat e fundit bëjnë të ditur se ky sektor ka pasur një zhvillim për 90 ditë, të cilin pa pandeminë nuk do të mund ta arrinte brenda 10 viteve!

Pra, 10 vite zhvillim kanë ndodhur brenda 90 ditëve. Një statistikë mbresëlënëse.

Çfarë saktësisht është E-commerce?

E-commerce është shkurtesë për Eletronic Commerce që në gjuhën shqipe do të mund të përkthehej “Tregtia Elektronike”.

Kjo i referohet aktivitetit të shitjes dhe blerjes së produkteve apo shërbimeve përmes internetit. Me ndihmën e internetit, njerëzit mund të blejnë e shesin virtualisht çdo gjë, duke përfshirë libra, pajisje elektronike, rroba, souftere, mobilie, etj.

E-commerce ua ofron njerëzve platformën për të shitur e blerë çfarëdo që dëshirojnë, kurdo që dëshirojnë.

Sipas një raporti të lansuar nga “Adobe”, shpenzimet totale online në muajin maj kanë qenë të rritura për 77%.

Disa statistika interesante që ky raport i thekson, janë:

• E-commerce: Është zhvilluar për 52 miliardë dollarë

• BOPIS (Buy Online Pick Up In Store): Shitjet e blerjes online dhe marrjes së produktit në dyqan janë rritur në muajin maj për 195%

Ekspertët thonë se trendet e blerjes online të cilat janë formuar gjatë pandemisë mund të jenë adoptuar përgjithmonë.

Ndonëse blerjet online kanë qenë vetëm opsion para pandemisë, tani ato janë duke u bërë metoda primare e blerjes sepse konsumatorët janë familjarizuar me lehtësinë dhe eksperiencën që e ofron.

Zhvillimi i e-commerce në Kosovë

Një zhvillim i këtij sektori është vërejtur mjaft shumë edhe në Kosovë. Si asnjëherë më parë, kompanitë e bizneset po e vlerësojnë prezencën online.

Ndonëse nuk ka ndonjë statistikë zyrtare se sa është zhvilluar e-commerce në Kosovë, ekspertët thonë se ka pasur një rritje të hovshme, e cila është vazhdimisht në rritje.

Përveç se shumë biznese tani i janë kthyer marketingut digjital dhe shitjeve online, gjithashtu edhe bankat janë duke bërë ndryshime interesante, ku vlen të përmendet se disa banka në Kosovë kanë iniciuar zhvillimin e kuletave digitale (lexo ang: Digital Wallet).

Pra, ndonëse pandemia COVID-19 nuk do të qëndrojë përgjithmonë, siç duket zhvillimi i e-commerce është këtu për të qëndruar!