Buxheti i shpenzuar në reklamim në internet kalon atë të TV-së - Telegrafi Marketing

Buxheti i shpenzuar në reklamim në internet kalon atë të TV-së

Reklamat në internet janë po aq të vjetra sa edhe vet interneti, por televizioni gjithmonë ishte vendi ku reklamuesit shpenzonin më së shumti para – pavarësisht që miliona dhe miliona njerëz kalonin me orë të tëra duke qëndruar në internet. Megjithatë, kjo balancë është prishur për herë të parë: sipas Advertising Bureau (IAB), të ardhurat nga reklamat në internet për vitin 2013 kanë shënuar 42.8 miliard dollarë në krahasim me të ardhurat e reklamave në TV të cilat janë 40.1 miliard dollarë.

Karakteristikë është gjithashtu se reklamuesit gjithnjë e më shumë kane tendencë që të targetojnë përdoruesit e telefonave të mençur. Sipas IAB të ardhurat nga reklamimi në telefonat e mençur kanë shënuar rritje e që njëherit është rritja e tretë radhazi për tri vitet e fundit – në vitin 2013 ishte 110% më shumë në krahasim me vitin 2012, duke arritur 7 miliard dollarë të ardhura.

Aktualisht në Telegrafi raporti i vizitueshmërisë në mes të Desktop dhe Mobile është 55.8% me 44.2%. vlen të theksohet se rritja e vizitave mobil nga viti 2012 në vitin 2013 është 102% dhe parashikojmë që gjatë vitit 2014 kjo shifër e vizitave nga telefonat mobil të tejkaloj vizitat e Desktop-it.

Gjithashtu vlen të theksohet se që nga vitit 2011 kur edhe për herë të parë Telegrafi implementoi platformën për menaxhimin e reklamave online, deri më tani numri i kompanive të cilat kanë reklamuar në Telegrafi është shënuar katër herë më i lartë.