Mediet online në SHBA drejt marrjes së udhëheqjes - Telegrafi Marketing

Leximi klasik i gazetave duke pirë kafenë e mëngjesit do të mund të bëhej pjesë e të kaluarës, së paku sa u përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një studim i ri ka treguar se njerëzit çdo ditë e më shumë po u drejtohen medieve online, të cilat aktualisht vijnë menjëherë pas stacioneve televizive lokale e kombëtare, thuhet në raportin më të ri të Qendrës për hulumtime Pew.

Shtëpitë botuese në SHBA dhe Britani të Madhe janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë financiare, dhe për këtë shkak shumë prej gazetave private kanë vendosur të krijojnë edicionet e tyre online, ashtu siç ka filluar të ndodhë në rajonin shqipfolës.

Ky hulumtim ka dëshmuar se Google News e AOL përdoren po aq shpesh sa edhe CNN e BBC. Rreth 61 për qind e pjesëmarrësve në studim kanë deklaruar se nevojat ditore për informata i marrin nëpërmes internetit. Afro 46 për qind prej tyre e dëgjojnë radion në shtëpi apo gjatë vozitjes, për të qenë në rrjedhë me ngjarjet aktuale.

Mbi 90 për qind e të anketuarve përdorin më shumë se vetëm një metodë për të mësuar për gjërat që u interesojnë, e rreth 57 për qind e njerëzve shfletojnë dy deri në pesë faqe interneti për të qenë të informuar.

“Amerikanëve u nevojiten informatat e ata i marrin ato në secilën mënyrë të mundshme. Në përgjithësi, për një amerikan tipik nuk mjafton vetëm një faqe interneti”, ka thënë për rrjetin televiziv CNN zëvendësdrejtoresha e Qendrës Pew, Amy Mitchell.

Numri standard i lexuesve të gazetave, siç është New York Times, ka rënë për 50 për qind. Gazetat nga të dyja anët e Atlantikut janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë, qëkur ka filluar të dobësohet reklamimi, e lexuesit çdo ditë e më shumë po drejtohen kah edicionet online të gazetave.

Gazeta Seatle Post-Intelligencer është shuar vitin e kaluar, derisa Chicago Tribune e San Francisco Chronicle është dashur të zvogëlojnë dukshëm vendet e punës. Gjatë vitit 2009 Daily Mail e General Trust kanë larguar 1.000 të punësuar.

Manjati i medieve Rupert Murdoch, i cili është dashur ta mbyllë gazetën e tij London Paper, ka akuzuar kompanitë si Google se po përfitojnë nga lidhjet e internetit të artikujve të cilët ata i publikojnë. /Telegrafi/