Marketingu dixhital përmes videos - Telegrafi Marketing

Marketingu dixhital përmes videos

Marketingu përmes videos është duke u përdorur si kurrë më parë, ky është një fakt i pamohueshëm. Më e mira e kësaj metode të marketingut është se nuk keni nevojë për një buxhet të madh për të filluar me përmbajtjen e videos si metodë e marketingut.

Nëse keni një biznes dhe ende nuk keni filluar me krijimin e videove për rrjete sociale atëherë jeni duke humbur shumë mundësi. Gjithashtu nëse kjo ju duket si diçka shumë e vështirë për t’u arritur, atëherë jeni gabim, sepse me zhvillimin e teknologjisë kjo ka arritur të bëhet shumë e thjeshtë dhe me pajisje për të cilat nuk keni nevojë të jeni profesionist për të arritur të krijoni video kreative.

Një kamerë dixhitale e nivelit mesatar që prodhon një video me cilësi të mirë mund të krijojë videon e përkryer për t’u përdorur në rrjete sociale. Gjithashtu videoja nuk ka nevojë të jetë e kualitetit më të lartë ose të bëhet patjetër nga profesionistë, për arsye se konsumatorët preferojnë video të rastësishme.

Konsumatorët duan të shohin anën njerëzore të markës, dhe videot janë një mënyrë e përsosur për të qenë më afër tyre. Videot tuaja mund të kenë përmbajtje kreative ose të tregojnë përparësitë e produkteve dhe shërbimeve tuaja.

Videot më të shkurta kanë një shans më të mirë për të mbajtur shikuesit tuaj të koncentruar në të gjithë videon. Sigurohuni që video të jetë rreth 3-5 minuta. Videot mbi 5 minuta konsiderohen si të mërzitshme dhe arrijnë të shikohen më pak. Pra, si rregull i përgjithshëm, sa më e shkurtë video është më e mirë.

Pasi të keni arritur rezultatin përfundimtar, ngarkoni videon në të gjitha platformat e mediave sociale dhe pritni rezultatet. /Telegrafi/